Bashkitë

Qarku:
Fier


Qendër bashkie:
Qyteti i Fierit


Sipërfaqja:
619.9 Km katrorë



Njësitë administrative:
Fier, Cakran, Mbrostar Ura, Libofshë, Qendër, Dërmenas, Topojë, Levan, Frakull, Portëz

Bashkia e re Fier kufizohet në veri me bashkinë Divjakë, në lindje me bashkitë Patos dhe Roskovec, ndërsa në jug me bashkinë Vlorë. Ajo shtrihet në Ultësirën Perëndimore, mes lumenjve Seman dhe Vlorë. Pjesa dërrmuese e bashkisë së re shtrihet në zonë fushore të ulët ndërsa komunat Cakran dhe Frakull kanë territor kodrinor. Kryeqendra e Bashkisë është qyteti i Fierit. Sipas Censusit të vitit 2011 në territorin e bashkisë së re banojnë 120.655 banorë ndërsa në regjistrin civil rezultojnë 196.324 banorë. Sipërfaqja e bashkisë së re është 619.9 km2 me densitet popullsie 316.70 banorë/km2. Kjo bashki përbëhet nga dhjetë njësi administrative. Bashkia e re ka nën administrimin e saj një qytet dhe 85 fshatra. Bashkia e re e Fierit përfshin zonat bujqësore më të rëndësishme të vendit, si dhe një pjesë të konsiderueshme të industrisë që lidhet me përpunimin e naftës. Më shumë se 55 për qind e popullsisë së bashkisë së re jetojnë në zonat rurale, gjë që tregon rëndësinë e sektorit të bujqësisë në jetën ekonomike të bashkisë së re. Prodhimi bujqësor i kësaj zone është i shumëllojshëm nga drithi te zarzavatet, bostanoret, blegtoria dhe nënproduktet e saj. Bashkia ka një vijë bregdetare të konsiderueshme që shtrihet nga grykëderdhja e lumit Vjosë deri në grykëderdhjen e lumit Seman në kufijtë e parkut kombëtar Divjakë-Karavasta.Gjithashtu pjesë e saj është dhe parku arkeologjik i Apollonisë, krahas objekteve të tjera të trashëgimisë kulturore.

Qarku:
Fier


Qendër bashkie:
Qyteti i Patosit


Sipërfaqja:
82.55 Km katrorë


 


Njësitë administrative:
Patos, Zharëz, Ruzhdie

Bashkia e re e Patosit kufizohet në veri dhe perëndim me bashkinë Fier, në jug me bashkinë Mallakastër dhe në lindje me bashkinë Roskovec. Kryeqendra e Bashkisë është qyteti i Patosi. Sipas Censusit të vitit 2011 bashkia e re Patos ka një prej 22.959 banorësh ndërsa në regjistrin civil rezultojnë banues 42.738 banorë. Territori i bashkisë së re është vetëm 82.5 km2 dhe me densitet popullsie është 278.3 banorë për km2. Kjo bashki përbëhet nga 3 njësi administrative. Bashkia e re ka nën administrimin e saj një qytet dhe 18 fshatra. Baseni naftëmbajtës i njohur si “Patos-Marinza” është historikisht zona më e pasur me naftë në Shqipëri dhe sot vijon të prodhojë shumicën dërrmuese të naftës bruto në vendin tonë. Për shumë vite burimi kryesor ekonomik ka qenë sektori naftënxjerrës. Tanimë po shohim një përqendrim gjithnjë e më të madh tek sektori i bujqësisë dhe agrikulturë. Sipas të dhënave tashmë, përveç ish komunës Zharrës, zonat e tjera si Patosi dhe Ruzhdia kanë si burim kryesor ekonomik kultivimin e ullirit dhe tregtimin e nënprodukteve të tij, të cilat favorizohen dhe nga vetë relievi kodrinor i kësaj zone.

Qarku:
Fier


Qendër bashkie:
Qyteti i Lushnjes


Sipërfaqja:
372.72 Km katrorë


 


Njësitë administrative:
Lushnjë, Allkaj, Bubullimë, Hysgjokaj, Golem, Dushk, Karbunarë, Ballagat, Fier Shegan, Kolonjë, Krutje

Bashkia e re Lushnjë kufizohet në veri me bashkitë Rrogozhinë dhe Peqin, në lindje me bashkinë Divjakë, në jug me bashkitë Fier dhe Roskovec, ndërsa në perëndim me bashkinë Belsh. Kryeqendra e bashkisë së re është qyteti i Lushnjes. Sipas Censusit të vitit 2011 bashkia e re Lushnjë numëron një popullsi banuese prej 83.659 banorë, ndërsa në Regjistrin Civil rezulton një popullsi prej 127.438 banorësh. Sipërfaqja e bashkisë së re është 372.72 km2. dhe me densitet popullsie 341.91 banorë/km2. Kjo bashki përbëhet nga 11 njësi administrative. Bashkia e re ka nën administrimin e saj një qytet dhe 85 fshatra. Bashkia e re ka nën administrimin e saj një zonë përgjithësisht rurale, ku 63 për qind e popullsisë jeton në 85 fshatra që janë pjesë e saj. Lushnja është edhe zona bujqësore më e rëndësishme e Shqipërisë me prodhime të bimëve të arave, zarzavateve, bostanoreve dhe prodhimeve blegtorale në zonat e ulëta, si dhe me ullinj e vreshta në zonat kodrinore. Gjithashtu në zonat rurale ka banorë të cilët e ushtrojnë aktivitetin e tyre në mbareshtrimi i bagëtive të imta si lopët dhe delet. Pjesë e bashkisë së re do të jetë edhe pika turistike e Manastirit të Ardenicës, e cila gjendet në njësinë administrative Kolonjë.

Qarku:
Fier


Qendër bashkie:
Qyteti i Divjakës


Sipërfaqja:
309.58 Km katrorë


Njësitë administrative:
Divjakë, Tërbuf, Grabjan, Gradishtë, Remas

Bashkia e re Divjakë kufizohet në veri me bashkinë Rrogozhinë, në lindje me bashkinë Lushnjë, në jug me bashkinë Fier dhe në perëndim me Detin Adriatik. Kryeqendra e bashkisë është qyteti i Divjakës. Sipas Censusit të vitit 2011, bashkia e Divjakës numëron një popullsi prej 34.254 banorësh ndërkohë që në regjistrin civil rezulton një popullsi 53.372 banorësh. Territori i bashkisë së re është 309.58 km2 dhe me densitet popullsie 172.40 banorë/km2. Kjo bashki përbëhet nga 5 njësi administrative. Bashkia e re ka nën administrimin e saj një qytet dhe 36 fshatra. Bashkia e Divjakës përbëhet pothuajse tërësisht nga zona rurale. Bashkia e re ka një shtrirje veri-jug ndërkohë që rrugët janë më së shumti në drejtimin lindje-perëndim dhe lidhja rrugore mes qytetit të Divjakës dhe komunave Gradishtë e Rremas. Bashkia e re ndodhet në një zonë tërësisht rurale dhe pjellore, ndërkohë që pjesë e territorit të kësaj bashkie është edhe parku kombëtar Divjakë-Karavasta, si dhe plazhi i Divjakës. Bashkia e re ka aktivitet kryesor ekonomik bujqësinë dhe në një masë më të vogël peshkimin në lagunën e Karavastasë. Prodhimi kryesor bujqësor janë bostanoret, të cilat shiten në tregun e brendshëm si dhe eksportohen në shumë vende të Europës qendrore dhe lindore. Divjaka ka perspektivë të mirë për zhvillimin e turizmit detar si dhe ekoturizmit. Gjatë viteve të fundit këtu është shfaqur turizmi i vrojtimit të zogjve për shkak të pranisë së një kolonie të vogël pelikanësh në zhdukje në lagunën e Karavastasë. Turizmi është zhvilluar më së shumti për turistët ditorë dhe kulinaria është e përqendruar te prodhimet e peshkut, për të cilat zona është e famshme në të gjithë vendin.

Qarku:
Fier


Qendër bashkie:
Qyteti i Roskovecit


Sipërfaqja:
118.01 Km katrorë


Njësitë administrative:
Roskovec, Kuman, Kurjan, Strum

 

Bashkia e re Roskovec kufizohet në veri dhe perëndim me bashkinë Lushnjë, në jug me bashkinë Mallakastër, në lindje me bashkinë Ura Vajgurore, ndërsa në perëndim me bashkinë Patos. Kryeqendra e Bashkisë është qyteti i Roskovecit. Sipas Censusit të vitit 2011, bashkia e re Roskovec ka 21.742 banorë ndërsa në Regjistrin Civil popullsia e regjistruar figuron 31.548 banorë. Bashkia e re ka një sipërfaqe prej 118.01 km2. Kjo bashki përbëhet nga 4 njësi administrative. Bashkia e re ka nën administrimin e saj një qytet dhe 14 fshatra. Bashkia e re e Roskovecit shtrihet pjesërisht mbi zonën naftëmbajtëse Patos-Marinzë, e cila njihet si burimi më i madh i naftës në Europën kontinentale. Pjesë e bashkisë së re do të jetë komuna Kurjan, e cila përfshin edhe fshatin Marinzë, që njihet veçanërisht si zonë naftëmbajtëse. Në këto kushte edhe të ardhurat kryesore të banorëve vijnë nga ky sektor, në të cilin janë punësuar shumë prej banorëve të zonës. Sa i takon zonave rurale, të ardhurat fitohen kryesisht nga prodhimet bujqësore dhe agrumet.

Qarku:
Fier


Qendër bashkie:
Qyteti i Ballshit


Njësitë administrative:
Ballsh, Qëndër Dukas, Greshicë, Aranitas, Hekal, Ngraçan, Kutë, Fratar, Selitë

Bashkia e re kufizohet në veri dhe perëndim me bashkinë Fier, në jug me bashkitë Selenicë dhe Memaliaj, në lindje me bashkitë Poliçan dhe Berat, ndërsa në veri me bashkitë Patos dhe Fier. Kryeqendra e Bashkisë është qyteti i Ballshit. Sipas Censusit të vitit 2011, bashkia e re ka një popullsi prej 27.062 banorësh ndërsa në regjistrin civil rezultojnë 43.033 banorë. Sipërfaqja e bashkisë së re është 329.19 km2 dhe densiteti i popullsisë 130.72 banorë për km2. Kjo bashki përbëhet nga 9 njësi administrative. Bashkia e re ka nën administrimin e saj një qytet dhe 41 fshatra. Zona e Mallakastrës është kodrinore me lartësi mbizotëruese 200-300 metra mbi nivelin e detit ndërsa pika më e lartë e krahinës është maja e Shëndëllisë në nivelin 712 metra. Mallakastra është një zonë e rëndësishme e industrisë nxjerrëse dhe përpunuese të naftës, si dhe një zonë bujqësore e blegtorale me përqendrim te drurët frutorë si ullinj, qershi, dardha e fiq. Rafineria e Ballshit është aktiviteti kryesor ekonomik i zonës me disa qindra të punësuar. Bashkia e re e Mallakastrës do të jetë pothuajse tërësisht një zonë rurale pasi qyteti i vetëm është Ballshi.

Adresa: Rr. Ramiz Aranitasi, Nr. 15, , Fier, Shqipëri

Hënë – Premte 08:00-16:00